Artikuj
Dosjet Shqiptare zbulojnë verbërinë morale të arkitektëve
Është ëndërr për çdo arkitekt: një drejtues qeverie që e konsideron të rëndësishme arkitekturën, fton studio të huaja, u jep kontrata dhe përfshihet personalisht në projektim.
Në Shqipëri, falë Edi Ramës, kjo ëndërr është bërë realitet.
“The Albanian Files”, një libër prej 800 faqesh që përmbledh mbi njëzet vjet arkitekturë të huaj në vend, nxjerr në pah para së gjithash marrëdhënien e veçantë mes arkitekturës dhe pushtetit.
Për këtë arsye, ai është kthyer në një portret demaskues të një profesioni që mungesën e kontrollit demokratik e ngatërron me lirinë e projektimit.
Truman Kapote e përshkroi librin legjendar “Në udhëtim” të Xhek Kuruakut—të cilin autori e shkroi nën ndikimin e amfetaminave si vërshim mendimesh të papërpunuara, pa përdorur shenjë pikësimi, duke shtypur me makinë shkrimi mbi një rul të pandërprerë letre— me fjalët: “Ky nuk është shkrim, është thjesht shtypje në makinë.”
Diçka e tillë mund të thuhet edhe për “Dosjet Shqiptare” (The Albanian Files), përmbledhjen gjigante të mbi 20 vjetëve arkitekturë dhe urbanistikë të huaj në Shqipëri, me redaktore botimi Aneke Abhelakhun dhe botues Lars Müller Publishers: “Ky nuk është redaktim, është thjesht printim.”
60 studio arkitekture nga Evropa, Amerika dhe Azia morën një formular me pyetjen se prej sa kohësh dhe për çfarë kishin punuar në Shqipëri.
Formulari u kërkonte gjithashtu të plotësonin një tabelë me të dhëna për projektet e tyre dhe më pas i ftonte të mbushnin një fashikull nga 8 deri në 16 faqe me vizatime, skica, mendime, fotografi apo çfarëdo tjetër që dëshironin të paraqisnin rreth këtyre projekteve.
Marrëzia
Në të vërtetë, marrëzia e “ushtrisë së arkitektëve” (Arch Army) të Ramës është i vetmi “ind” që i bashkon projektet dhe përbën arsyen e ekzistencës së librit.
Vetëm marrëzia i bashkon temat e punimeve, pikëpamjet e autorëve dhe konsensusin e tyre — absurd — mbi rolin e arkitekturës dhe karakterin e qeverisë Rama.
Fjalën “marrëzi” e përdor me vetëdije, jo për të provokuar apo fyer.
Në një artikull jashtëzakonisht të mprehtë, shkrimtari palestinez Abdaluaxhad Omar shqyrton çështjen se përse aq shumë kritikë eruditë dhe inteligjentë, brenda e jashtë Izraelit, gjejnë vazhdimisht mënyra për ta minimizuar, mohuar ose anashkaluar gjenocidin izraelit ndaj palestinezëve.
Ai vëren se ata e bëjnë këtë gjë duke përdorur repertorin e debatit intelektual, ndërsa lënë mënjanë logjikën përmbajtësore, proporcionalitetin, kontekstin dhe arsyen.
Ai e quan këtë “marrëzi morale” dhe e dallon nga padituria, të cilën njeriu nuk e zgjedh, por edhe nga frika, e cila nënkupton një rrezik personal që dikush nuk është i gatshëm ta marrë.
Sipas Omarit, marrëzia morale është zgjedhja për të ndaluar së menduari, arsyetuari dhe analizuari, në mënyrë që të mos përballesh me humnerën e përgjegjësisë personale që sjell bashkëpunimi me një padrejtësi.
Lentja e marrëzisë së Omarit jep një pamje të mprehtë të zgjedhjeve dhe retorikës së arkitektëve në Shqipëri.
Nuk është se ata janë të marrë ose budallenj, apo kriminelë që në fillim. Ata as nuk po zbatojnë, në bashkëpunim me Edi Ramën, ndonjë komplot të përgatitur me kujdes.
Përkundrazi, konteksti ku punojnë ka bërë që disa veçori dhe gabime logjike, të brendshme të vetë profesionit të arkitekturës, të shndërrohen në pika të verbra me pasoja katastrofike.

Gjashtë pikat e verbra të arkitektëve
Jam përpjekur t’i rendis këto kurthe mendore, të cilat krijuan pika të verbra dhe më pas çuan në marrëzi morale të tipit të përshkruar nga Abdaluaxhad Omari.
1. Marrëzia e vetës së parë
Së pari, është marrëzia e vetës së parë. Nuk kam lexuar kurrë një libër arkitekture ku fjala “unë” të përdoret aq shpesh sa në Dosjet Shqiptare. Nga përgjigjet në formular e deri te reflektimet mbi projektet vetjake, gjithçka është subjektive, intuitive, e drejtpërdrejtë dhe emocionale.
Shembujt luhaten nga “Më telefonoi Edi, i cili e kishte marrë numrin tim nga Benedeta” (Alehandro Aravena) te “Po ecja nëpër Tiranë duke parë me dylbi dhe pashë një flutur” (Xhin Geng) apo “Nuk mund të vij në Shqipëri, sepse më dhemb shpina.” (Alvaro Siza).
“Nëna ime bënte ushtrime joge nën një strehë bambuje në Indonezi, prandaj ky resort bregdetar do të ndërtohet me bambu, ose ndoshta jo” — Elora Hardy.
Pavarësisht pohimeve të shumta për bashkëpunim, për projekte të përbashkëta dhe për distancimin nga fama e “arkitektëve yje”, në fakt ata flasin kryesisht për veten.
Libri e përforcon këtë qasje duke përfshirë në faqet me informacion të përgjithshëm edhe nofkat e disa arkitektëve. Sam Çermajef, për shembull, pëlqen ta thërrasin “Gangsteri Çeçen”, ndërsa NOA preferon “Malësorët e Mesdheut”— dhe këto nofka janë shtypur në libër.
2. Marrëzia e skicave
Së dyti kemi marrëzinë e skicës. Një pjesë shumë e madhe e kontributeve përbëhet nga imazhe të shkarravinave spontane të arkitektëve, tek të cilat dalloj, sikur të isha aty, lëngun krijues që rrjedh pikë-pikë e ngurtësohet, për shembull, në një kullë me planimetri të përdredhur (Pablo Bofill) ose në një fasadë në formë krahësh fluture (Xhin Geng).
Pavarësisht fjalëve të shumta për rëndësinë e procesit, pjesëmarrjes dhe bashkëkrijimit, koncepti i projektit përcaktohet që me skicën e parë, në atë vend dhe atë çast kur kjo është bërë.
Një skicë mund të jetë vizatuar nga një arkitekt që as nuk e ka vizituar dhe as nuk ka për ta vizituar kurrë Shqipërinë (Siza) ose nga një arkitekte që, pa folur ende me ndonjë ekspert vendas, vizaton mbi rrotulla të mëdha letre kalk një qytet me 50 mijë banorë në një formë grafike dukshëm ekspresioniste (Anupama Kundoo).
Stiven Holl madje e ka zmadhuar mijëra herë njërën prej vijave të tij spontane, derisa ajo është shndërruar në siluetën e çrregullt të një ndërtese të madhe, e cila është ndërtuar vërtet.
3. Marrëzia e turistit
Së treti kemi marrëzinë e turistit. Dhjetëra arkitektë arrijnë në të njëjtin përfundim: konteksti më i rëndësishëm me të cilin duhet të lidhen është peizazhi, veçanërisht malet dhe deti, i cili, siç vëren Liz Diller, në Shqipëri është gjithmonë akuamarin.
Nga Portoja, Alvaro Siza skicon se sa bukur hyjnë shkëmbinjtë shqiptarë në det, ndërsa Uinka Dabëlldam frymëzohet nga faqet shkëmbore për të krijuar fasada të pjerrëta dhe të gjelbëruara për kullat në mes të Tiranës.
Arkitektë të tjerë gjejnë guralecë në plazh dhe frymëzohen prej tyre për të ndërtuar një resort bregdetar gjigant në formën e gurëve të stërmëdhenj (Hardy).
E njëjta marrëzi bën që shumë arkitektë të flasin për mikpritjen e “shqiptarit” dhe për numrin e madh të pjatave që u shërbehen në drekat e tyre.
4. Marrëzia e kolonialistit
Së katërti kemi marrëzinë e kolonialistit. Në hyrjen e librit dhe në shumë kontribute flitet për shkëmbime jashtëzakonisht të vlefshme ndërmjet arkitektëve të huaj dhe studiove vendase.
Megjithatë, ky shkëmbim nuk përkufizohet si bashkëpunim gjatë procesit krijues, por si një mënyrë për ta realizuar ndërtesën me burime vendase.
Ideja është se ky shkëmbim nis një proces mësimor, në mënyrë që, pas disa vjetësh, edhe arkitektët vendas të arrijnë nivelin e arkitektëve të huaj dhe të mund të projektojnë vetë ndërtesa.
Ajo që arkitektët e huaj dëshirojnë vërtet të mësojnë janë zanatet e vjetra të ‘shqiptarit’.
Ajo që arkitektët e huaj dëshirojnë vërtet të mësojnë nga zanatet e vjetra të ‘shqiptarit’ janë rritja e deleve (Cityförster), thurja e shportave, ndërtimi me gurë dhe gdhendja e drurit, sepse këto mund të çojnë në veshje të reja dhe të spikatura fasadash, për shembull në një terminal aeroporti (Archea).
Edhe modelet e veçanta të palosjes së veshjeve tradicionale mund të frymëzojnë fasadën e palosur të një kulle të lartë.
Ashtu si në klishetë romantike për peizazhin, Shqipëria paraqitet si një parajsë e paprekur, pa qytetari, pa politikë apo arkitekturë, por me folklor, kostume popullore dhe zejtari tradicionale, që pret në padije frytet e përparimit.
Ky është orientalizëm në formën e tij më të pastër.
5. Marrëzia e nacionalizmit
Pastaj kemi marrëzinë e nacionalizmit. Ajo ilustrohet veçanërisht nga projektet e MVRDV-së. Uini Mas ka thënë më herët, gjatë një prezantimi, se ai dhe Edi Rama dëshironin ta bënin “nacionalizmin përsëri seksi”.
Fillimisht, kjo u shfaq në propozimet për të shkruar mbi ndërtesa me shkronja gjigante “I love Albania”; më pas, në propozimet për të mbuluar të gjitha ndërtesat me shqiponjën e zezë dykrenare mbi sfond të kuq; dhe më vonë, në propozimin për një pallat gjigant ku të gjitha apartamentet do të dilnin jashtë fasadës, duke formuar së bashku një hartë tridimensionale të vendit.
Kulmi i ‘nacionalizmit seksi’ të MVRDV-së është ‘Skanderbeg Building’, një ndërtesë apartamentesh luksoze 90 metra e lartë, në formën e kokës së atit të kombit: kryeluftëtarit të shekullit XV, Skënderbeut.
Gjatë shekullit XIX, rreth figurës së Skënderbeut u krijua miti nacionalist i mbrojtësit të Evropës së krishterë nga hordhitë aziatike të Perandorisë Osmane.
Për t’i dhënë kokës gjigante, që mbështetet mbi një qafë dhe shpatull po aq gjigante, një formë anatomike të saktë dhe bindëse, Uini Mas modeloi të gjithë trupin e heroit kombëtar në një skulpturë digjitale 500 metra të lartë.
E gjithë kjo shërben për të krijuar, duke u mbështetur te historia e vendit, ndërtesa që ofrojnë identitet — ose të paktën kështu e shpjegojnë ata.
Realiteti është se, pavarësisht se një arkitekt holandez mund të flasë për nacionalizmin sikur të bëhej fjalë për marketing urban, nacionalizmi në Ballkan ka një histori të gjatë.
Gjatë tridhjetë vjetëve të fundit, evokimi i betejave të përgjakshme gjashtëqindvjeçare, si ato ku Skënderbeu mundi turqit, nuk është bërë për qëllime të pafajshme në këtë rajon.
Kjo qasje ndërthuret gjithashtu me rolin që Edi Rama i ka caktuar vetes në forcimin e “Fortesës Evropë” kundër të ardhurve nga lindja dhe jugu, si në qendrat e ndalimit për azilkërkues që ai i lejon qeverisë italiane të ndërtojë në territorin e tij, ashtu edhe në mbështetjen e tij për luftën shfarosëse të Izraelit kundër popullit palestinez.
Për më tepër, për këdo në Shqipëri është shumë e qartë se kujt i përket në të vërtetë koka madhështore me mjekër të mprehtë, kafkë tullace dhe vështrim të zemëruar: vetë kryeministrit, si rimishërim i Skënderbeut.
Ajo që u mendua si një lojë pa të keq nga ana e MVRDV-së me një simbol kombëtar, në këtë kontekst dhe në këtë shkallë nuk mund të quhet ndryshe veçse arkitekturë fashiste.
Kam dy argumente për këtë pohim.
Së pari, nuk kemi të bëjmë thjesht me një imazh të ngjashëm me një simbol kombëtar dhe as thjesht me një ndërtesë kushtuar atij simboli.
Kemi një ndërtesë që është vetë trupi gjigant i simbolit kombëtar, në të cilën identiteti kombëtar dhe udhëheqësi shkrihen në një.
Ndërtesa është gjithashtu aq e madhe sa mund të mbajë brenda qindra njerëz, duke e shkrirë popullin me trupin e udhëheqësit në një konstruksion të vetëm. Kjo është arkitekturë fashiste.
Simboli i unitetit kombëtar, i cili mishëron origjinën dhe thelbin e popullit shqiptar, realizohet në një shkallë të tillë dhe vendoset në një pikë aq qendrore, saqë askush nuk mund t’i shpëtojë syve të Skënderbeut. Edhe kjo është arkitekturë fashiste.
Me “Skanderbeg Building” (të njohur gjithashtu si “Tirana’s Rock”), MVRDV-ja ka projektuar një ndërtesë fashiste. Nëse arkitektët e kanë pasur apo jo këtë qëllim, është e parëndësishme.
Ndonjëherë gjërat janë thjesht ato që janë.
6. Marrëzia e arkitekturës
Marrëzia e fundit, e cila përbën kushtin që pesë të parat të funksionojnë, është marrëzia e vetë arkitekturës. I gjithë projekti shqiptar i Ramës dhe “ushtrisë së arkitektëve” (Arch Army) të tij përshkohet nga një pakt faustian ndërmjet pushtetit dhe arkitektit.
Këtë e shohim në fjalët e shumta të vlerësimit që arkitektët i drejtojnë udhëheqësit, në apologjitë e Abhelakhut dhe të Ramës, por edhe në anekdotat për kontaktet e para ndërmjet arkitektëve dhe Ramës, fillimisht si kryetar bashkie dhe më pas si kryeministër.
Nëse vini të ndërtoni këtu, do të sigurohem që t’i merrni kontratat dhe që asgjë të mos ju pengojë. Fjalë për fjalë ose në ndonjë formulim të ngjashëm, Rama ua ka bërë këtë deklaratë me dhjetëra herë arkitektëve, shpesh të rinj, por edhe me përvojë, projekti i të cilëve nuk kishte fituar në ndonjë konkurs ose që i ishin rekomanduar nga ndonjë arkitekt tjetër.
Sharmi i Ramës është legjendar, po ashtu edhe shija e tij dhe njohja e zhargonit arkitekturor: “Ju lutem, më lejoni të prezantohem: jam njeri me pasuri dhe shije.”
Arkitektët i kanë pranuar ftesat e tij nisur nga besimi se arkitektura e mirë është vendimtare për ndërtimin e një vendi dhe se ata mund të luanin një rol të pazëvendësueshëm në këtë proces.
Pothuajse çdo arkitekt në libër pohon se arkitektura e mirë mund të realizohet vetëm falë një udhëheqësi qeveritar që beson vërtet tek arkitektura dhe angazhohet personalisht për arkitekturën dhe për zgjedhjen e arkitektëve.
Në mënyrë teatrale, Rama i hedh poshtë kundërshtimet që i bëjnë zhvilluesit e pronave apo zyrtarët e qeverisë së tij dhe vendos përjashtime nga planet e miratuara urbanistike apo anashkalon kufizimet e tjera ligjore.
Gjithçka në emër të arkitekturës.
Marrëzia e arkitekturës qëndron në faktin se ajo ka filluar t’i barazojë interesat e veta me interesat e shoqërisë dhe, për rrjedhojë, t’i nënvlerësojë kundërshtimet e shoqërisë përballë interesave të arkitekturës.
Libri quhet “Liria dhe Aritektura”, por në të vërtetë flet për “Liri për Arkitekturën”.
Më në fund arkitektët janë çliruar nga rregullat dhe ligjet; më në fund ata i kanë detyruar zhvilluesit që t’u japin respekt; më në fund ata janë të vlerësuar siç duhet nga politika.
Rama është i mirë për arkitekturën dhe arkitektura është e mirë për botën.

Shumë shpejt, shumë lirë
Megjithatë, edhe brenda kushteve të paktit me Ramën, arkitektura nuk shkon gjithmonë mirë.
Ideve të arkitektëve të huaj mund të mos u vendoset asnjë pengesë, por projektet shpesh realizohen me shumë shpejtësi, shumë lirë ose zbatohen në mënyrë të gabuar — ndaj projektet fillojnë të shkërmoqen sapo largohen fotografët nga prezantimet e tyre.
Shumë prej arkitektëve të librit e pranojnë këtë, por e paraqesin si proces mësimi, si dhimbje të rritjes, si diçka që do të përmirësohet sapo ndërtuesit shqiptarë të kapërcejnë prapambetjen teknike.
Pra, edhe ky fakt shërben për të konfirmuar prapambetjen e Shqipërisë dhe të nevojës për arkitekturë të mirë.
Problemi i dytë është se Rama nuk ka lidhur pakt vetëm me arkitektët e huaj, por edhe me zhvilluesit, investitorët dhe kompanitë e ndërtimit.
“Punoni me këta arkitektë dhe do t’ju lejoj të ndërtoni çfarë të doni, kudo që të doni dhe me çfarëdo parash që keni nevojë të sistemoni”, u thotë kryeministri oligarkëve, trafikantëve të kokainës dhe fuqive të huaja.
Në këtë mënyrë, Rama mund t’i paraqitet botës së jashtme, veçanërisht BE-së, si një udhëheqës i ndriçuar, një superkryetar bashkie që realizon njëri pas tjetrit projekte kulturore dhe ekologjike me arkitektë të huaj.
Për Shqipërinë, kjo do të thotë që Rama dhe “ushtria e arkitektëve” të tij shërbejnë si porta për investimin dhe pastrimin e dhjetëra miliardave nga oligarkët shqiptarë.
Marrëzia ligjore
Këtu lind problemi tjetër për arkitektët, të cilin ndoshta mund ta quajmë marrëzia ligjore. Normalisht, roli i arkitektit në projekte të dyshimta ndërtimi shpërfillet plotësisht.
Njëzet vjet më parë, arkitekti Karel Ueber tha se fakti që asnjë arkitekt nuk ishte ftuar në hetimin parlamentar për mashtrimet në sektorin e ndërtimit të Hollandës dëshmonte se sa periferik ishte bërë profesioni i arkitekturës.
Me Dosjet Shqiptare në duar, shqiptarët kërkojnë drejtësi dhe në fakt disa hetime të gjera penale kanë filluar.
Gazetarët dhe kritikët vendas kanë më shumë se dhjetë vjet që shkruajnë për llumin e korrupsionit dhe kriminalitetit ku janë zhytur arkitektët e huaj.
Ata madje kanë kontaktuar disa herë studiot e arkitekturës për t’i paralajmëruar.
Të paktën ky është përparim krahasuar me hetimin hollandez mbi mashtrimet në ndërtim.
Nuk është çudi që shumë prej arkitektëve të përfshirë në libër të kenë angazhuar tashmë avokatë për t’u përgatitur për stuhinë ligjore që pa dyshim do të vijë.
Deri pak kohë më parë, projektuesit mendonin se ata nuk do të merreshin në përgjegjësi dhe, për më tepër, ata nuk kishin marrë pjesë në këto aktivitete me vetëdije.
Mirëpo, në ndjekjet penale për korrupsion dhe pastrim parash, ky arsyetim nuk është gjithmonë mbrojtje e mjaftueshme.
Të çliruar nga shteti i së drejtës
Çështjet juridike janë plotësisht jashtë fushës së një kritike libri.
Por megjithatë mund të thuhet ky përfundim: liria që arkitektët e huaj kanë përjetuar gjatë ndërtimeve në Shqipëri është, në të vërtetë, çlirimi nga detyrimet e shtetit të së drejtës dhe kontrollit demokratik.
Ata janë çliruar nga detyrimet për mbrojtjen e natyrës dhe nga rregullat e transparencës.
Janë çliruar nga nevoja për t’u konsultuar me zyrtarët që ngrejnë pyetje apo kanë kritika, me aktivistët që luftojnë për ruajtjen e kësaj apo restaurimin e asaj, si dhe nga rregullat e prokurimit të Bashkimit Evropian.
Ata janë çliruar nga rregullat e paanshme administrative që duhet të zbatohen njësoj për të gjithë, pa marrë parasysh personin.
Kanë shpëtuar nga indiferenca monumentale për arkitekturën që hasin tek politikanët dhe porositësit vendorë.
Janë çliruar nga parimet e demokracisë kushtetuese, përfshirë idenë se pikërisht politika nuk duhet të përfshihet personalisht në përmbajtjen e arkitekturës, artit apo formave të tjera të kulturës.
Me veprimet e tyre, arkitektët shprehin bindjen se arkitektura e mirë mund të lindë vetëm nën një diktaturë të ndriçuar dhe për hir të saj ia vlen të braktisen parimet demokratike.
Ky nuk është vetëm një gabim taktik që do t’u kushtojë shtrenjtë në shumë mënyra, por edhe një tradhti ndaj popullit shqiptar, i cili prej muajsh po e ngre masivisht zërin për demokracinë dhe shtetin e së drejtës.
Çfarë tregon përfshirja në Shqipëri për arkitektët tanë?
Por çfarë tregon për arkitektët e rajonit tonë fakti që, në entuziazmin e tyre për makinën politike të Edi Ramës, ata largohen nga parimet mbi të cilat mbështeten institucionet e Bashkimit Evropian?
Vetë ata thonë se korrupsionin e konsiderojnë si dhimbjet e natyrshme të rritjes së një vendi në tranzicion dhe se arkitektura luan një rol pozitiv në normalizimin e Shqipërisë.
Por nga ky tranzicion shihet shumë pak.
Për më tepër, toni i ngazëllyer i kontributeve të arkitektëve në libër lë të kuptohet se ata duan ta paraqesin Shqipërinë si shembull pozitiv për Evropën.
Në intervistat me arkitektët në dokumentarin Albanian Calls, filmi shoqërues i librit i realizuar nga Anneke Abhelakhu, mburrja e disa arkitektëve duket sikur vjen drejtpërdrejt nga “manosfera”.
Ndoshta obsesioni i arkitektëve me Ramën nuk është vetëm çështje oportunizmi, por edhe simptomë e dëshirës për shkelje të normave shoqërore, për t’u ngritur mbi moralin meskin të shoqërisë borgjeze.
Edi Rama ua ka ofruar atyre Shqipërinë si një vend ku profesioni i arkitekturës mund të përjetohet me pasion, pa pasur nevojë të marrin vazhdimisht parasysh të tjerët.
“Mos na telefononi. Do t’ju telefonojmë ne”
Ndërsa më parë Shqipëria identifikohej plotësisht me Edi Ramën, tani ajo po përkufizohet nga rezistenca kundër tij.
Në çdo rast, është e qartë se e ardhmja e Shqipërisë nuk qëndron te Edi Rama dhe arkitektët e tij. Mund të zgjasë shumë ose pak, por këtij regjimi do t’i vijë fundi.
Demonstratat e kanë arritur tashmë fitoren e tyre të parë: kanë ndryshuar imazhin që kemi për Shqipërinë.
Ndërsa më parë Shqipëria identifikohej plotësisht me Edi Ramën, tani ajo po përkufizohet nga rezistenca kundër tij.
Imazhi ikonik i vendit nuk është më koka e Edi Ramës, në formë fotografike apo arkitekturore, por bulevardet dhe sheshet plot me njerëz që mbajnë flamingo.
Por ky është vetëm hapi i parë.
Tani që vëmendja është përqendruar te rezistenca, po u kushtohet vëmendje edhe librave të panumërt, shkrimeve në Substack, gazetarisë investigative dhe doktoraturave mbi atë që po ndodh në vend.
Po bëhet e qartë se mes shqiptarëve ekziston një elitë intelektuale e jashtëzakonshme dhe një angazhim i fuqishëm idealist.
Demonstratat kanë aktivizuar gjithashtu diasporën, e cila ka marrë pjesë masivisht në protestat në atdhe.
Në fakt, nën Ramën vendi është izoluar plotësisht nga bota e jashtme, duke i mbyllur shqiptarët pas një muri kitschi neoliberal të fryrë dhe duke i poshtëruar sistematikisht si të prapambetur dhe të pazhvilluar.
Pas më shumë se një dekade paralajmërimesh nga intelektualët disidentë shqiptare dhe nga disa gazetarë të huaj, muri i marrëzive duket se më në fund po shembet, pikërisht falë ndërhyrjes së familjes Tramp.
Hapi i tretë është që shoqëria e vërtetë civile shqiptare, e përbërë si nga shqiptarët brenda vendit, ashtu edhe nga diaspora, të arrijë të rindërtohet mes rrënojave të pothuajse njëzet vjetëve të pushtetit Rama.
Parashikimi im është se rishpikja e një demokracie pjesëmarrëse dhe transparente do të sjellë një lulëzim të inteligjencës projektuese dhe krijimtarisë, që do të shërbejë si shembull për të gjithë ne.
Ndoshta do të ketë tema dhe sfida për të cilat shqiptarët e rinj do të dëshirojnë të angazhojnë specialistë nga Holanda. Kush e di, ndoshta një ditë edhe arkitektë!
Por pres që qëndrimi i Shqipërisë të jetë:
Mos na telefononi. Do t’ju telefonojmë ne.
Botuar së pari në de Architect, 24 gusht 2026, rishikuar më 27 gusht 2026, në gjuhën holandeze.
Përkthimi shqip botuar te exit.al, 24 gusht 2026.
Teksti botohet me lejen e autorit. Korrigjimet e autorit të zbatuara.
Imazhet të riprodhuara nga recensioni siç u botua në de Architect.
Imazhet e librit me mirësjelljen e Lars Müller Publishers.
Përzgjedhja e imazheve: Arkitektët Shqiptarë.